
Mounjaro, ilaçi i kompanisë Eli Lilly për diabetin dhe humbjen në peshë, është bërë zyrtarisht medikamenti më i shitur në botë, duke kaluar për herë të parë ilaçin kundër kancerit Keytruda.
Sipas raportimit të Bloomberg, Mounjaro gjeneroi 8.7 miliardë dollarë shitje gjatë tremujorit të parë të vitit 2026, ndërsa Keytruda i kompanisë Merck regjistroi 7.9 miliardë dollarë.
Keytruda kishte mbajtur vendin e parë global që nga viti 2023, kur kishte kaluar Humira, ilaçin e njohur për sëmundjet autoimune.
Ekspertët e tregut farmaceutik e konsiderojnë këtë një moment historik për ilaçet e kategorisë GLP-1, që përdoren për diabetin dhe dobësimin. Kërkesa globale për Mounjaro është rritur ndjeshëm gjatë dy viteve të fundit, duke e kthyer Eli Lilly në një nga kompanitë farmaceutike më të fuqishme në botë. Në Shqipëri shitet në tregun e zi me çmime shumë herë më të larta se në Europë.
Mounjaro përdoret kryesisht për trajtimin e diabetit të tipit 2, por është bërë shumë popullor edhe për efektin në humbjen e peshës.
Analistët parashikojnë se tregu i ilaçeve për obezitetin dhe diabetin do të vazhdojë të rritet me ritme rekord në vitet e ardhshme.






