
Gjykata e Lartë ka zbutur masën e sigurisë ndaj ish-drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, e cila po hetohet nga SPAK për dosjen e abuzimeve me fondet e institucionit. Vendimi i fundit ndryshon masën “arrest në shtëpi” në “detyrim paraqitjeje” dhe “ndalim të daljes jashtë shtetit”.
Sipas vendimit të Gjykatës së Lartë, Karçanaj nuk do të lejohet të largohet nga territori i Shqipërisë pa autorizim të gjykatës dhe do të duhet të paraqitet pranë policisë gjyqësore çdo të martë të parë dhe të tretë të muajit, në orën 10:00.
Ish-drejtoresha e AKSHI-t është nën hetim nga Prokuroria e Posaçme në lidhje me dyshimet për abuzime me fondet publike të institucionit. Çështja është një nga dosjet më të ndjekura të SPAK për procedurat dhe kontratat në sektorin e teknologjisë dhe shërbimeve digjitale.
Ndërkohë, Gjykata e Lartë la në fuqi masat e sigurisë të vendosura më herët për Erjon Ismailin dhe Gëzim Hoxhën, duke mos ndryshuar vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.



