Anija turistike “MV Hondius”, ku është konfirmuar një shpërthim i rrezikshëm i hantavirusit, po lundron drejt Ishujve Kanarie pasi tre pasagjerë u evakuuan për trajtim mjekësor në Holandë.

Sipas operatorit “Oceanwide Expeditions”, dy prej të evakuuarve ndodhen në gjendje të rëndë, ndërsa një tjetër është në gjendje stabile. Mes tyre janë një britanik, një holandez dhe një shtetas gjerman.

Një nga të evakuuarit britanikë është identifikuar nga mediat si Martin Anstee, ish-oficer policie 56-vjeçar, i cili po trajtohet në Holandë.

Në total, tre persona kanë humbur jetën që nga nisja e anijes nga Argjentina një muaj më parë. Autoritetet kanë konfirmuar se një prej viktimave ishte e infektuar me hantavirus, ndërsa dy rastet e tjera mbeten ende nën hetim.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë të ditur se deri tani janë identifikuar tetë raste të dyshuara, prej të cilave tre janë konfirmuar me hantavirus.

Ekspertët kanë zbuluar se disa nga pacientët janë prekur nga varianti “Andes”, një formë e rrallë e virusit që mund të transmetohet edhe nga njeriu te njeriu, ndryshe nga shumica e hantaviruseve që përhapen nga brejtësit.

Autoritetet në SHBA dhe Britani kanë nisur monitorimin e pasagjerëve që janë larguar më herët nga anija. Dy shtetas britanikë ndodhen të vetëizoluar në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa tre persona po monitorohen në shtetet amerikane Georgia dhe Arizona.

OBSH konfirmoi gjithashtu një rast pozitiv në Zvicër, ku një pasagjer që kishte zbritur më herët nga anija po trajtohet në një spital në Zyrih.

Aktualisht në bordin e “MV Hondius” ndodhen 146 persona nga 23 vende të ndryshme, të cilët po mbahen nën masa të rrepta sigurie shëndetësore.

Anija kishte qëndruar për tre ditë pranë Kepit të Gjelbër përpara se të nisej drejt Ishujve Kanarie. Autoritetet spanjolle kanë deklaruar se pasagjerët do t’i nënshtrohen kontrolleve të plota mjekësore sapo të mbërrijnë në Tenerife.

Ekspertët shëndetësorë theksojnë se rreziku për publikun mbetet i ulët dhe se virusi nuk transmetohet lehtësisht si gripi apo COVID-19, por zakonisht kërkon kontakt të afërt fizik.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu