Beyonce dhe e bija Blue Ivy

Mbrëmja më e madhe e modës në botë, Met Gala, riktheu edhe këtë vit spektaklin në tapetin e kuq, ku yjet ndërkombëtarë interpretuan temën “arti i kostumit” me veshje ekstravagante dhe kreative.

Ndër momentet më të komentuara ishte rikthimi i Beyoncé pas një mungese 10-vjeçare. Ajo u shfaq me një fustan të frymëzuar nga skeleti dhe një mantel me pupla, e shoqëruar nga bashkëshorti Jay-Z dhe vajza e tyre Blue Ivy.

Në fund të mbrëmjes, si zakonisht, mbërriti Rihanna me një krijim të mbuluar me mijëra gurë, ndërsa partneri i saj A$AP Rocky u shfaq me një pallto rozë të personalizuar.

Në mesin e bashkëkryesuesve të eventit ishin emra të mëdhenj si Nicole Kidman, Venus Williams dhe Anna Wintour, e cila vijon të jetë figura qendrore e këtij eventi prej dekadash.

Tapeti i kuq u dominua nga interpretime artistike të guximshme: Bad Bunny u shfaq i transformuar si një burrë i moshuar, ndërsa Heidi Klum u maskua si një statujë mermeri. Edhe Katy Perry tërhoqi vëmendjen me një maskë pasqyre që i mbulonte fytyrën.

Ndërkohë, motrat Serena Williams dhe Venus Williams sollën elegancë klasike me veshje të ndritshme, ndërsa emra si Kim Kardashian dhe Kylie Jenner eksperimentuan me forma futuriste.

Një moment historik u shënua nga modelja dhe aktivistja Aariana Rose Philip, e cila u bë personi i parë në karrige me rrota që merr pjesë në këtë event, duke sjellë një mesazh për përfshirjen dhe përfaqësimin.

Met Gala konsiderohet sot si eventi më prestigjioz dhe më ekskluziv në botën e modës, një mbrëmje që bashkon artin, kulturën dhe spektaklin në një tapet të kuq global.

I organizuar çdo vit të hënën e parë të majit në Muzeun Metropolitan të Artit në Nju Jork, eventi ka si qëllim mbledhjen e fondeve për Institutin e Kostumit. Që nga themelimi në vitin 1948 nga Eleanor Lambert, Met Gala ka evoluar nga një darkë bamirësie në një fenomen global me ndikim të jashtëzakonshëm mediatik.

Sot, një biletë për të marrë pjesë në këtë event mund të arrijë deri në 100 mijë dollarë, ndërsa lista e të ftuarve përfshin vetëm rreth 600-700 persona nga fusha të ndryshme si moda, muzika, kinemaja, sporti, biznesi dhe teknologjia.

Që prej vitit 1995, figura kyçe e organizimit mbetet Anna Wintour, e cila kontrollon listën e të ftuarve dhe drejtimin artistik të eventit, duke e kthyer Met Gala në një platformë globale ku moda ndërthuret me identitetin kulturor.

Çdo vit, eventi ka një temë specifike që lidhet me ekspozitën e Institutit të Kostumit, duke i shtyrë të ftuarit të eksperimentojnë me veshje ekstravagante dhe shpesh artistike. Pikërisht kjo temë është ajo që e kthen Met Gala në një spektakël unik, ku moda bëhet formë shprehjeje.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu