Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë kanë vendosur të ndryshojnë pjesërisht praktikën gjyqësore për caktimin e masave të sigurisë, duke vendosur standarde më të forta për përdorimin e masës “arrest në burg”.

Vendimi i marrë nga 16 gjyqtarë synon të unifikojë praktikën dhe të garantojë respektimin e të drejtave themelore, duke e konsideruar burgimin si një masë përjashtimore, që duhet të përdoret vetëm kur alternativat janë të pamjaftueshme.

Sipas vendimit, gjykatat kanë tashmë detyrimin të shqyrtojnë realisht masat më të lehta dhe të arsyetojnë konkretisht pse ato nuk janë të përshtatshme në çdo rast. Arsyetimi duhet të jetë i individualizuar dhe i bazuar në rrethanat specifike të çështjes.

Kolegjet theksojnë gjithashtu se rrezikshmëria e një personi nuk mund të bazohet vetëm në natyrën e veprës penale apo dënimin e mundshëm, por duhet të analizohen elementë si personaliteti, sjellja dhe rrethanat familjare.

Një tjetër element i rëndësishëm i vendimit është se barra e provës për nevojën e masës “arrest në burg” i takon prokurorisë, ndërsa gjykata duhet ta verifikojë dhe ta justifikojë këtë nevojë në çdo fazë të procesit.

Gjykata e Lartë vlerëson se praktika e deritanishme kërkonte rishikim, për ta përputhur me Kushtetutën, Kodin e Procedurës Penale dhe standardet e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Në çështjen konkrete, Kolegjet e Bashkuara lanë në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit, duke rrëzuar rekursin e prokurorisë.

Ky vendim pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në mënyrën se si gjykatat do të vendosin për masat e sigurisë në të ardhmen, duke vendosur në qendër mbrojtjen e lirisë personale.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu