Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit janë rritur ndjeshëm në Ngushticën e Hormuzit, pasi Teherani ka paralajmëruar se do të sulmojë çdo forcë amerikane që hyn në këtë zonë strategjike.

Kërcënimi vjen pasi presidenti amerikan Donald Trump njoftoi nisjen e operacionit “Project Freedom”, që synon të ndihmojë anijet e bllokuara të dalin nga kjo rrugë kyçe detare për transportin global të naftës dhe gazit.

Sipas deklaratës së ushtrisë iraniane, çdo ndërhyrje e huaj, veçanërisht nga SHBA, do të konsiderohet shkelje e armëpushimit dhe do të përballet me reagim ushtarak. Teherani thekson se kontrolli i ngushticës mbetet në duart e tij dhe çdo kalim duhet të koordinohet me forcat iraniane.

Nga ana tjetër, SHBA ka bërë të ditur se në operacion do të përfshihen rreth 15 mijë trupa, anije luftarake dhe mbi 100 avionë, me qëllim rikthimin e lirisë së lundrimit për anijet tregtare.

Situata në Hormuz mbetet kritike, pasi rreth 2 mijë anije dhe mbi 20 mijë marinarë janë bllokuar në këtë zonë që prej nisjes së konfliktit SHBA-Iran. Raportohet se disa prej tyre po përballen me mungesa ushqimi dhe furnizimesh bazë.

Trump e ka cilësuar operacionin si një “gjest humanitar”, duke theksuar se qëllimi është ndihma për vendet dhe kompanitë që nuk janë pjesë e konfliktit, por janë prekur nga situata.

Megjithatë, paralajmërimet e Iranit për sulme të mundshme rrisin frikën për një përshkallëzim të ri ushtarak, që mund të rrezikojë armëpushimin e brishtë në rajon.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu