Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Jerevan të Armenisë, ku do të zhvillohen punimet e Samitit të 8-të të Komunitetit Politik Europian, një forum që mbledh 48 liderë shtetesh dhe qeverish nga i gjithë kontinenti, si dhe për herë të parë edhe përfaqësues nga Kanadaja.

Samiti po mbahet në kompleksin “Karen Demirchyan”, ku Rama u prit nga kryeministri armen, Nikol Pashinyan, së bashku me delegacionin shqiptar.

Në një prononcim për mediat, Rama e cilësoi samitin si një mundësi për të diskutuar ambiciet dhe sfidat e përbashkëta të Europës, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe përparimit të procesit të integrimit.

Sipas tij, Europa duhet të reflektojë mbi të ardhmen e saj dhe të lëvizë më shpejt drejt bashkimit, pasi një Bashkim Europian i paplotë mbetet më i dobët dhe më i cenueshëm.

“Është një tjetër mundësi për të parë se sa mund të bëjmë së bashku dhe sa e rëndësishme është të ecet përpara me bashkimin e Europës,” u shpreh Rama.

Ai nënvizoi gjithashtu se procesi i zgjerimit nuk duhet parë si një çështje përfitimesh për vende të veçanta, por si një nevojë strategjike për vetë Bashkimin Europian.

Në deklaratat e tij, Rama preku edhe çështjet e sigurisë, duke theksuar se NATO duhet të mbështetet më shumë në kapacitetet europiane në kushtet e zhvillimeve aktuale globale.

Samiti i Jerevanit zhvillohet në një moment të ndjeshëm për kontinentin, mes sfidave të sigurisë dhe diskutimeve për të ardhmen e zgjerimit të BE-së.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu