Koalicioni VLEN ka akuzuar Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) për keqmenaxhim dhe shpërdorim fondesh në projektin e interkoneksionit energjetik me Shqipërinë, duke pretenduar se miliona euro publike kanë përfunduar te persona dhe kompani të afërta me drejtuesit e saj.

Në një reagim publik, VLEN thekson se projekti ka mbetur i bllokuar për më shumë se pesë vite, ndërsa BDI, sipas tyre, po përpiqet të shmangë përgjegjësinë përmes sulmeve politike dhe devijimit të vëmendjes.

Sipas këtij koalicioni, kompania e angazhuar për realizimin e interkoneksionit ka kryer vetëm rreth 4 për qind të punimeve gjatë kësaj periudhe, ndërkohë që janë kërkuar fonde shtesë përmes anekseve që arrijnë deri në 50 për qind të vlerës së kontratës.

VLEN pretendon gjithashtu se shteti ka paguar interesa kredie që nga viti 2015 pa përparim real në terren, duke iu referuar analizave të operatorit energjetik MEPSO për humbje të konsiderueshme financiare.

Sipas tyre, ndërprerja e kontratës është bërë pas një analize forenzike dhe në përputhje me procedurat e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD), si dhe me mbështetjen e ekspertëve ndërkombëtarë.

Koalicioni kundërshton edhe pretendimet e BDI-së lidhur me procedurat para DAB, duke i cilësuar ato si mekanizma para-arbitrazhi dhe jo vendime përfundimtare.

Në reagim thuhet se projekti tashmë i është dhënë një konsorciumi të ri të udhëhequr nga kompania Dalekovod d.d., ndërsa VLEN e cilëson këtë si një hap për të zhbllokuar investimin pas viteve të stagnimit.

“BDI nuk ndërtoi, por nxori para për vete. Ndërsa ne do të ndërtojmë”, thuhet në deklaratën e koalicionit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu