
Kosova përballet me një krizë të re politike, pasi Kuvendi ka dështuar të zgjedhë presidentin, duke e çuar vendin drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Në mungesë të kuorumit, seancat për zgjedhjen e kreut të shtetit u bllokuan, pasi opozita nuk mori pjesë, ndërsa në sallë ishin vetëm deputetët e shumicës. Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, zgjedhjet duhet të mbahen brenda 45 ditëve.
Kryeministri Albin Kurti akuzoi opozitën për sjellje “anti-institucionale”, duke deklaruar se Kosovës i duhet një opozitë e re për të pasur presidente të re. Ai shtoi se mbështetja për qeverinë do të rritet në zgjedhjet e ardhshme.
Nga ana tjetër, opozita fajëson qeverinë për krizën. PDK deklaroi se është mbrojtur rendi kushtetues dhe kërkoi që zgjedhjet të caktohen sipas afateve ligjore.
Ndërkohë, ministri i Financave, Hekuran Murati, paralajmëroi se zgjedhjet e reja do të kenë kosto të lartë, të paktën 10 milionë euro, si dhe rrezikojnë humbjen e fondeve nga Bashkimi Evropian nëse reformat nuk miratohen në kohë.
Kjo do të jetë hera e pestë që Kosova shkon në zgjedhje brenda një periudhe të shkurtër, duke thelluar pasigurinë politike në vend.






