Situata mes SHBA dhe Iranit është përshkallëzuar ndjeshëm, pasi forcat amerikane sekuestruan anijen me flamur iranian “M/V Touska”, e cila tentoi të thyejë bllokadën detare në Gjirin e Omanit.

Sipas ushtrisë amerikane, anija u paralajmërua për orë të tëra që të ndalonte, por ekuipazhi refuzoi. Si pasojë, një anije luftarake amerikane qëlloi disa herë drejt motorit, duke e nxjerrë jashtë funksionit.

Më pas, marinsat amerikanë zbritën nga helikopterët dhe morën nën kontroll anijen, e cila tashmë ndodhet në duart e SHBA.

Ekspertët e sigurisë detare theksojnë se, sipas ligjit të luftës në det, një anije që thyen bllokadën mund të sekuestrohet dhe në disa raste të konsiderohet si “plaçkë lufte”.

Fati i anijes dhe ekuipazhit pritet të varet nga ngarkesa që transportonte dhe kombësia e marinarëve. Nëse konfirmohet se transportonte materiale të ndaluara ose armë, situata mund të përshkallëzohet më tej.

Ndërkohë, Irani ka paralajmëruar hakmarrje për sekuestrimin, ndërsa negociatat e mundshme mes palëve në Pakistan mbeten të pasigurta.

Incidenti rrit tensionet në një nga zonat më strategjike të botës për tregtinë e naftës dhe rrezikon një përplasje më të gjerë në rajon.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu