
Gjatë takimit me përfaqësues të diasporës, mes tyre Lazim Destani dhe figura të tjera të njohura, Berisha theksoi se Shqipëria po përballet me një krizë të thellë demografike. Ai iu referua të dhënave të Eurostat, sipas të cilave mbi 1 milion shqiptarë kanë emigruar në vendet e zonës Shengen gjatë viteve 2015–2024, duke paralajmëruar se nëse kjo prirje vijon, vendi rrezikon të përballet me pasoja ekzistenciale në dekadat e ardhshme.
Kreu i opozitës vlerësoi rolin e diasporës si një histori suksesi për Shqipërinë dhe kërkoi përfshirjen e saj më të madhe në politikë, përfshirë përfaqësimin me kandidatë në zgjedhjet e ardhshme. Ai kritikoi gjithashtu politikat ekonomike të qeverisë, duke folur për ndikimin e narkotrafikut në ekonomi dhe duke e lidhur forcimin e lekut me këtë fenomen. Sipas tij, zhvillimet në ndërtim, veçanërisht kullat në Tiranë, janë tregues të korrupsionit dhe pastrimit të parave.






