
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka kërkuar ndërhyrje për ndalimin e abuzimeve me çmimet e fruta-perimeve në treg, duke theksuar diferenca të mëdha mes çmimeve të importit dhe atyre për konsumatorët.
Braçe u ndal veçanërisht tek domatja, të cilën e cilësoi si “produktin hit”, duke deklaruar se çmimi me të cilin është shitur në treg ka qenë 5-6 herë më i lartë se ai i importit dhe zhdoganimit.
Sipas tij, gjatë periudhës janar–mars janë importuar rreth 2500 ton domate dhe domatina nga vende si Greqia, Italia, Serbia dhe Turqia, por çmimet reale të importit janë shumë më të ulëta se ato që paguajnë qytetarët.
Deputeti socialist e cilësoi situatën si “abuzim skandaloz”, duke shtuar se tregu funksionon shpesh pa faturë fiskale. Ai bëri thirrje për mbështetje më të madhe të prodhimit vendas, duke paralajmëruar se në të kundërt vendi do të vijojë të varet nga importet në muajt në vijim.



