
Rreth 100 pasagjerë kanë mbetur të bllokuar në aeroportin e Milanos, pasi një fluturim drejt Mançesterit është nisur pa ta, për shkak të vonesave të gjata në kontrollin kufitar.
Udhëtarët raportojnë se pritjet në aeroportin Linate kanë zgjatur deri në tre orë, ndërsa disa prej tyre kanë përjetuar gjendje të rënduar shëndetësore nga vapa, me raste të të fikëtit dhe të vjellave.
Një prej pasagjereve, 17-vjeçarja Kiera, tregoi se kishte mbërritur në aeroport herët në mëngjes, por kur arriti në kontrollin kufitar u përball me një radhë të gjatë dhe më pas u njoftua se fluturimi ishte nisur pa shumicën e udhëtarëve. Sipas saj, vetëm rreth 30 persona arritën të hipnin në avion.
Pasagjerët janë detyruar të prenotojnë bileta të reja, shpesh me kosto të lartë dhe me destinacione të ndryshme, përfshirë Londrën, për të arritur më pas në Mançester. Disa prej tyre janë detyruar të kalojnë natën në aeroport.
Një tjetër udhëtar, Adam Lomas, që udhëtonte me bashkëshorten dhe foshnjën e tyre 4-muajshe, tha se situata ishte kaotike dhe se kompania ajrore dhe aeroporti fajësonin njëri-tjetrin për ngjarjen.
Kompania ajrore EasyJet deklaroi se vonesat u shkaktuan nga kontrollet kufitare dhe zbatimi i sistemit të ri europian të hyrje-daljeve (EES), duke e cilësuar situatën “jashtë kontrollit të saj”. Ajo shtoi se po përpiqet të ndihmojë pasagjerët me alternativa udhëtimi.



