Në fshatin Moosch, në rajonin e Alsasës në Francë, komuniteti lokal ka ndërmarrë një veprim simbolik dhe kreativ për të shmangur mbylljen e një klase në kopsht.

Për shkak të mungesës së nxënësve dhe rrezikut për të humbur një klasë, banorët vendosën të “regjistrojnë” pesë lopë si nxënëse në institucionin parashkollor. Emrat e tyre u përfshinë madje edhe në formularët zyrtarë të regjistrimit.

Kafshët, të vendosura në një hapësirë të rrethuar pranë hyrjes së shkollës, u kthyen në simbol të protestës së komunitetit, i cili kërkon të mbrojë institucionin arsimor dhe të ndalojë politikat që çojnë në mbylljen e klasave në zonat e vogla.

Shkolla rrezikonte të humbiste një klasë pasi nuk plotësohej numri minimal i nxënësve, një problem që po prek gjithnjë e më shumë zonat rurale në Francë për shkak të rënies së lindshmërisë.

Përmes këtij gjesti ironik, banorët synojnë të tërheqin vëmendjen e autoriteteve dhe të nxisin ndërhyrjen për të mbajtur hapur shkollën.

Rasti i Moosch-it është bërë viral në rrjetet sociale dhe media, duke nxjerrë në pah sfidat që po përballet sistemi arsimor në komunitetet e vogla europiane.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu