Shqipëria do të mirëpresë Samitin IV të Diasporës, i cili do të zhvillohet në Tiranë më 13, 14 dhe 15 prill, duke mbledhur shqiptarë nga e gjithë bota në një platformë të përbashkët bashkëpunimi dhe dialogu.

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, u shpreh se ky samit, i organizuar nën sloganin “Nga rrënjët lartësohemi”, do të jetë i dedikuar tërësisht diasporës shqiptare dhe forcimit të lidhjeve të saj me institucionet në vend.

Gjatë tre ditëve të aktivitetit, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të diskutojnë drejtpërdrejt me përfaqësues të qeverisë, drejtues institucionesh, kryetarë bashkish dhe personalitete të njohura nga fusha të ndryshme.

Në fokus të paneleve do të jenë çështje kyçe për zhvillimin e vendit, si ekonomia, zhvillimi rural, gjuha shqipe, kultura, arti, shkenca, teknologjia dhe inovacioni. Samiti synon të shndërrojë idetë e diasporës në projekte konkrete që ndikojnë në zhvillimin ekonomik dhe social të Shqipërisë.

Sipas Ismailit, ky aktivitet përbën një hap të rëndësishëm për krijimin e urave të qëndrueshme bashkëpunimi mes shqiptarëve kudo që ndodhen dhe institucioneve shtetërore.

Organizatorët bëjnë me dije se pjesëmarrësit mund të regjistrohen online dhe të zgjedhin panelet e interesit, duke e kthyer samitin në një hapësirë interaktive dhe gjithëpërfshirëse.

Samiti IV i Diasporës konsiderohet një nga iniciativat më të rëndësishme për forcimin e marrëdhënieve me shqiptarët jashtë vendit dhe përfshirjen e tyre në zhvillimin e Shqipërisë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu