Shoqata “Blegtorët Prodhues të Qumështit” ka zhvilluar këtë të martë një protestë para Ministrisë së Bujqësisë, duke kundërshtuar skemën kombëtare 2026.

Me pankarta si “Stop importit të qumështit”, “Formalizoni tregun e bulmetit” dhe “Bojkotoni firmat serbe”, fermerët kanë akuzuar qeverinë për mungesë mbështetjeje ndaj sektorit.

Sipas tyre, skema e re nuk reflekton kërkesat e paraqitura më herët dhe nuk përballon kostot e larta të prodhimit.

“Skema nuk na mbështet, kostot janë të larta. Të na subvencionohet nafta si jahtet dhe të rritet mbështetja për blegtorinë”, u shpreh një prej protestuesve.

Fermerët kërkojnë gjithashtu kufizimin e importeve që, sipas tyre, po dëmtojnë prodhimin vendas dhe po krijojnë konkurrencë të pabarabartë.

Një tjetër shqetësim i ngritur ishte niveli i ulët i subvencioneve krahasuar me vendet e rajonit.

“Kemi 7-8 herë më pak subvencione se rajoni. Kërkojmë naftë pa taksa për fermerët ose rishikim të taksës së qarkullimit”, deklaruan protestuesit.

Ata theksuan se rritja e çmimeve të ushqimit për bagëtitë dhe karburantit ka rënduar ndjeshëm aktivitetin e tyre.

Në përfundim, fermerët kërkuan takim me ministrin e Bujqësisë dhe atë të Financave për të diskutuar zgjidhje konkrete.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu