
Përplasja për gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut po hyn në një fazë edhe më të nxehtë. Ministria e Drejtësisë ka refuzuar kategorikisht kërkesën e studentëve shqiptarë për të dhënë provimin e jurisprudencës në shqip.
Në reagimin zyrtar, institucioni thekson se ky provim është profesional dhe nuk mund të konsiderohet procedurë administrative, duke përjashtuar kështu përdorimin e gjuhës shqipe.
Madje, Ministria ka shkuar më tej, duke akuzuar se protesta e studentëve ishte e politizuar dhe duke theksuar mungesën e simboleve shtetërore gjatë saj.
Ndërkohë, mijëra studentë dolën në rrugët e Shkupit me pankarta dhe thirrje të forta si “Stop diskriminimit” dhe “Shqipja nuk negociohet”, duke kërkuar dorëheqjen e ministrit Igor Filkov.
Çështja ka ndezur edhe më shumë debat politik, me akuza dhe kundërakuza mes partive shqiptare dhe reagime nga Tirana zyrtare që e cilëson shqipen si të drejtë kushtetuese që nuk mund të mohohet.
Ndërkohë, pavarësisht rekomandimeve nga institucionet dhe presionit publik, Ministria nuk ka dhënë asnjë sinjal tërheqjeje.
Situata mbetet e tensionuar dhe studentët paralajmërojnë se protestat do të vazhdojnë.






