
Policia e Shtetit ka ngritur alarmin për një valë të re mashtrimesh që po godasin qytetarët përmes mesazheve SMS.
Mesazhet paraqiten si njoftime nga posta për një pako të mbërritur, por në të vërtetë janë kurthe për të vjedhur të dhënat tuaja personale dhe bankare.
Autorët dërgojnë linke të rreme dhe kërkojnë veprime urgjente, duke synuar që viktima të klikojë pa menduar.
Në momentin që futni të dhënat, rrezikoni akses të menjëhershëm në llogaritë tuaja financiare.
Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike paralajmëron qytetarët të mos bien pre e këtyre mashtrimeve dhe të tregojnë kujdes maksimal.
Policia këshillon:
– Mos klikoni asnjë link nga numra të panjohur
– Mos jepni të dhëna personale apo bankare
– Fshini menjëherë mesazhet e dyshimta
– Raportoni çdo rast të dyshimtë
Këto skema mashtrimi po përhapen me shpejtësi dhe çdo pakujdesi mund t’ju kushtojë shtrenjtë.






