Qeveria ka prezantuar Skemën Kombëtare Mbështetëse për Bujqësinë 2026, e cila parashikon rritje të subvencioneve dhe mbështetje financiare për fermerët në disa sektorë kyç të ekonomisë rurale.

Në një konferencë për shtyp, ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, bëri me dije se buxheti i kësaj skeme arrin në 5.2 milionë lekë dhe se në ditët në vijim do të hapen aplikimet për përfituesit.

Një nga risitë kryesore është mbështetja për fermerët e rinj, të cilët do të përfitojnë grante deri në 10 mijë euro, kryesisht për investime në blegtori. Gjithashtu, parashikohen fonde për ndërtimin e staneve, blerjen e makinerive bujqësore, zhvillimin e agroturizmit, si dhe për sera, pemë frutore dhe vreshta.

Fokus i veçantë i skemës është bletaria, ku subvencioni për koshere dyfishohet nga 1 mijë në 2 mijë lekë, me synimin për të arritur në 1 milion koshere deri në vitin 2027, nga rreth 600 mijë që janë aktualisht.

Mbështetje shtesë parashikohet edhe për sektorin e blegtorisë, me rritje të subvencioneve për gjedhët dhe të imtat, si dhe për herë të parë për sektorin e derrit. Ndërkohë, janë ulur edhe pragjet për përfitim, duke përfshirë më shumë ferma në skemë.

Salla theksoi gjithashtu se do të vijojë mbështetja për fermat organike, bashkëpunimet bujqësore dhe sektorin e peshkimit në ujërat e brendshëm, ndërsa për fermat mbi 3 hektarë do të ketë pagesa direkte për çdo hektar të mbjellë.

Paralelisht, ministri konfirmoi se edhe skema e naftës për fermerët do të vijojë të zbatohet gjatë këtij viti, si një mbështetje shtesë për sektorin bujqësor.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu