
Skënder Hita ka marrë zyrtarisht detyrën si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, në një ceremoni të zhvilluar pranë Drejtorisë së Përgjithshme, ku ai bëri edhe betimin me gradën “Drejtues madhor”.
Në fjalën e tij të parë, Hita u zotua se Policia e Shtetit do të jetë gjithmonë në krah të qytetarëve dhe në zbatim të ligjit, duke theksuar se siguria mbetet detyrimi më i madh i institucionit. Ai nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe besimit mes policisë dhe qytetarëve për ndërtimin e një shoqërie më të sigurt.
Pas një karriere 25-vjeçare, drejtori i ri renditi prioritetet kryesore, ku përfshihen lufta pa kompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, rritja e sigurisë në komunitet dhe shkolla, si dhe forcimi i rendit në të gjithë territorin. Ai vuri theks edhe te rritja e transparencës dhe bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë.
Hita u bëri thirrje punonjësve të policisë për përkushtim, ndershmëri dhe respekt ndaj ligjit, duke kërkuar standarde më të larta përgjegjësie, në funksion të ndërtimit të një policie sipas standardeve europiane.
Në ceremoni, zv.kryeministrja Albana Koçiu theksoi nevojën për modernizimin dhe digjitalizimin e mëtejshëm të Policisë së Shtetit, ndërsa ministri i Brendshëm Besfort Lamallari vlerësoi procesin transparent dhe meritokratik që çoi në përzgjedhjen e Hitës.
Ndërkohë, me marrjen e detyrës nga drejtori i ri, priten ndryshime në drejtimin e policisë në 12 qarqe, si dhe hapja e garës për drejtuesit e departamenteve, në kuadër të ristrukturimit të institucionit.



