Les Poissons -Pierre-Auguste Renoir

Një grabitje e bujshme ka tronditur Italinë, ku tre piktura me vlerë miliona euro janë vjedhur brenda vetëm tre minutash nga një muze pranë Parmës.

Sipas policisë italiane, katër persona të maskuar hynë në vilën e fondacionit “Magnani Rocca” më 22 mars dhe arritën të marrin tre vepra të rralla arti: “Les Poissons” e Pierre-Auguste Renoir, “Still Life with Cherries” e Paul Cézanne dhe “Odalisque on the Terrace” e Henri Matisse.

Autorët kanë vepruar me shpejtësi të madhe, duke hyrë dhe dalë nga muzeu në pak minuta. Ata u ndërprenë vetëm nga aktivizimi i alarmit, çka besohet se i pengoi të vidhnin më shumë vepra.

Sipas mediave italiane, grabitësit depërtuan nga dera kryesore dhe morën pikturat nga një sallë në katin e parë të ndërtesës. Më pas janë larguar duke kapërcyer një gardh.

Vlera totale e veprave të vjedhura llogaritet rreth 9 milionë euro, ndërsa vetëm piktura e Renoir konsiderohet të vlejë rreth 6 milionë euro, duke e bërë këtë një nga grabitjet më të mëdha të artit në Itali vitet e fundit.

Autoritetet italiane kanë nisur hetimet, ndërsa çështja po ndiqet nga njësia speciale për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

Fondacioni “Magnani Rocca”, ku ndodhi grabitja, është një nga koleksionet më të rëndësishme private të artit në Itali, i krijuar pas vdekjes së koleksionistit Luigi Magnani.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu