Protesta e opozitës në Tiranë është përshkallëzuar në tensione dhe përplasje me policinë, pasi gjatë tubimit janë hedhur bomba molotov dhe fishekzjarrë në drejtim të institucioneve shtetërore.

Fillimisht, protestuesit u mblodhën përpara Kryeministrisë, ku situata u tensionua kur u hodhën mjete piroteknike drejt godinës. Forcat e policisë ndërhynë duke përdorur gaz lotsjellës dhe autobote me ujë për të shpërndarë turmën.

Më pas marshimi u zhvendos drejt Ministrisë së Infrastrukturës, ku u përsëritën të njëjtat skena me hedhje molotovësh dhe fishekzjarrësh. Edhe aty policia reagoi për të vënë situatën nën kontroll.

Tensionet arritën kulmin pranë selisë së Partisë Socialiste, ku protestuesit hodhën sërish molotovë, ndërsa nga flakët u përfshi edhe një automjet i policisë.

Gjatë protestës, organizatorët u bënë thirrje pjesëmarrësve të ndiqnin flamujt për orientim në marshim, ndërsa në terren u vu re edhe kreu i PD-së, Sali Berisha, i pajisur me maskë kundër gazit.

Situata mbetet e tensionuar, ndërsa forcat e rendit vijojnë të jenë në terren për të kontrolluar zhvillimet.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu