Kryeministri Edi Rama ka përmbledhur zhvillimet kryesore të javës në podkastin “Flasim”, duke u ndalur te ekonomia, çmimet e karburanteve, siguria dhe vlerësimet ndërkombëtare për Shqipërinë.

Në nisje të fjalës së tij, Rama përcolli urime për besimtarët myslimanë dhe bektashinj me rastin e Fitër Bajramit dhe Sulltan Nevruzit, duke i cilësuar këto festa si simbol të bashkëjetesës dhe harmonisë fetare në vend.


Ekonomia drejt rritjes së qëndrueshme

Sipas Kryeministrit, Shqipëria vijon të ruajë një ritëm pozitiv të rritjes ekonomike, ndërsa parashikimet ndërkombëtare e rendisin vendin ndër ekonomitë me performancën më të mirë në vitet në vijim.

Ai theksoi se deri në vitin 2030 pritet një rritje prej rreth 32% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke e lidhur këtë progres me reformat e ndërmarra dhe zhvillimin e sektorëve kryesorë të ekonomisë.

Rama u ndal edhe te rritja e pagave, duke theksuar se përmirësimet nuk po ndodhin vetëm në sektorin publik, por edhe në atë privat, sidomos për profesionet e kualifikuara.


Masa për ushtarakët, paga deri në +70%

Në fushën e mbrojtjes, Kryeministri bëri të ditur se buxheti për këtë sektor është rritur me rreth 12% për vitin 2026.

Ai theksoi se janë miratuar masa konkrete për përmirësimin e trajtimit financiar të ushtarakëve, përfshirë rritjen e pagave dhe mbulimin e kostove të transportit.

Sipas tij, objektivi është që paga e ushtarit bazë të rritet deri në 70% dhe të arrijë mesataren e vendeve të NATO-s deri në fund të mandatit.


Shqipëria vlerësohet në raportet ndërkombëtare

Rama u ndal edhe te raporti i Freedom House, ku Shqipëria renditet si vendi më i vlerësuar në rajon për nivelin e lirisë.

Ai theksoi se progres është shënuar në funksionimin e institucioneve, të drejtat politike dhe luftën kundër korrupsionit.

Po ashtu, vendi është renditur në dhjetëshen e parë në nivel global për sigurinë kibernetike, një arritje që lidhet me forcimin e sistemeve mbrojtëse pas sulmeve të viteve të fundit.


Çmimi i naftës, masa për lehtësim

Duke folur për rritjen e çmimit të karburanteve, Kryeministri e lidhi situatën me zhvillimet globale dhe ndikimin e krizave ndërkombëtare në tregjet energjetike.

Ai bëri të ditur se është ngritur një task-forcë për monitorimin e tregut dhe se do të rikthehet Bordi i Transparencës për të shmangur abuzimet.

Paralelisht, qeveria ka vendosur të ulë përkohësisht akcizën e naftës me rreth 20%, me qëllim lehtësimin e barrës për qytetarët.

Rama theksoi se të ardhurat shtesë nga rritja e çmimit do të përdoren për të mbështetur pensionistët, si grupi më i ndjeshëm ndaj krizës.


Fokus te kontrolli dhe ndërhyrja në treg

Kryeministri paralajmëroi gjithashtu ndërhyrje më të forta në tregun e naftës, për të rritur transparencën dhe për të luftuar evazionin dhe kontrabandën.

Sipas tij, qeveria po përgatit edhe krijimin e një aktori publik në treg, që do të ndikojë në stabilizimin e çmimeve dhe kontrollin e zinxhirit të furnizimit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu