
Presidenti i SHBA, Donald Trump, po përballet me një nga vendimet më të vështira të luftës në Iran: nëse do të dërgojë trupa tokësore amerikane në terren.
Sipas mediave amerikane, në takime të përditshme me drejtuesit ushtarakë në Shtëpinë e Bardhë, Trump ka shqyrtuar disa opsione, përfshirë edhe vendosjen e mijëra ushtarëve në Iran. Megjithatë, ai ka deklaruar publikisht se nuk ka ndërmend të dërgojë trupa, duke lënë të hapur çdo skenar.
“Unë nuk po dërgoj trupa askund. Por nëse do ta bëja, nuk do ta thosha”, u shpreh Trump.
Presion politik dhe rreziku i përshkallëzimit
Lufta, që ka hyrë në javën e katërt, ka rritur presionin mbi administratën amerikane për të gjetur një rrugëdalje. Shumë republikanë kanë paralajmëruar se dërgimi i trupave në terren do të ishte “vija e kuqe” dhe mund të sillte humbjen e mbështetjes politike.
Ndërkohë, kostot ekonomike janë rritur ndjeshëm, sidomos pas vendimit të Iranit për të kërcënuar mbylljen e ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të naftës në botë.
Objektivat ende të paqarta
Edhe pse SHBA dhe Izraeli pretendojnë se kanë goditur mijëra objektiva ushtarake iraniane, një nga synimet kryesore mbetet ende i parealizuar: ndalimi i plotë i programit bërthamor të Iranit.
Ekspertët paralajmërojnë se, edhe nëse infrastruktura shkatërrohet, njohuritë shkencore nuk mund të zhduken, duke lënë të hapur rrezikun për zhvillime të mëtejshme.
Skenarët në tryezë
Ndër opsionet që po diskutohen është edhe kapja e ishullit Kharg, një pikë kyçe për eksportin e naftës së Iranit, apo operacione për të neutralizuar rezervat e uraniumit të pasuruar.
Megjithatë, këto operacione do të kërkonin një prani të madhe tokësore dhe mbartin rreziqe të larta për përshkallëzim të konfliktit.
Ndërkohë, aleatët e SHBA dhe zyrtarë ndërkombëtarë kanë bërë thirrje për kujdes, duke paralajmëruar se një luftë e zgjatur mund të destabilizojë më tej rajonin dhe të rrisë rrezikun për një Iran me ambicie edhe më të forta bërthamore./CNN



