Aktori amerikan Nicholas Brendon, i njohur për rolin e tij në serialin kult “Buffy the Vampire Slayer”, ka ndërruar jetë në moshën 54-vjeçare.

Lajmi është konfirmuar nga familja e tij përmes një deklarate në rrjetet sociale, ku bëhet e ditur se aktori “ndërroi jetë në gjumë për shkaqe natyrale”.

“Nicky ishte i pasionuar, i ndjeshëm dhe gjithmonë i motivuar për të krijuar. Ata që e njihnin nga afër e dinin se arti ishte reflektimi më i pastër i shpirtit të tij”, thuhet në reagimin e familjes.

Brendon u bë i njohur për rolin e Xander Harris në serialin “Buffy the Vampire Slayer”, ku luajti për shtatë sezone nga viti 1997 deri në 2003, si miku më i mirë i personazhit kryesor, interpretuar nga Sarah Michelle Gellar.

Pas lajmit të ndarjes nga jeta, aktorja Sarah Michelle Gellar reagoi me një mesazh prekës në rrjetet sociale, duke cituar një monolog nga seriali dhe duke shtuar: “Të pashë, Nicky. E di që tani je në paqe”.

Edhe aktorja Alyson Hannigan, bashkëpunëtore në serial, e kujtoi me fjalë të ndjera, duke e falënderuar për “vitë të tëra të mbushura me të qeshura dhe dashuri”.

Gjatë karrierës së tij, Brendon u nominua tre herë për çmimet Saturn për rolin në “Buffy”, ndërsa më pas u shfaq edhe në seriale të njohura si “Criminal Minds”, “Private Practice” dhe “Kitchen Confidential”.

Ai kishte qenë i hapur për problemet shëndetësore dhe sfidat personale, përfshirë varësinë nga alkooli dhe problemet e shëndetit mendor, duke u bërë gjithashtu zë i ndërgjegjësimit për personat që vuajnë nga belbëzimi.

Familja theksoi se, pavarësisht vështirësive të së kaluarës, aktori ishte në trajtim dhe optimist për të ardhmen.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu