Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi gjatë një bashkëbisedimi online me qytetarët se opozita synon uljen e çmimit të karburanteve në Shqipëri, duke e barazuar atë me vendet fqinje si Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

Berisha e cilësoi rritjen e çmimeve si një “spekulim të madh”, duke theksuar se taksat e larta janë arsyeja kryesore e kostos së lartë të naftës në vend.

“Qeveria vendos mbi litrin e naftës taksa prej 1.1 euro, si asnjë vend tjetër. Zotimi ynë është i prerë: në Shqipëri nuk mund të shitet një litër naftë më shtrenjtë se në Maqedoni dhe në Kosovë”, u shpreh ai.

Sipas tij, Partia Demokratike do të ndërmarrë masa për nivelimin e taksave me këto vende, çka sipas tij do të sillte ulje të menjëhershme të çmimeve dhe goditje të spekulimeve në treg.

Berisha theksoi gjithashtu se edhe pse Kosova dhe Maqedonia nuk kanë dalje në det, ato e sigurojnë naftën përmes porteve si Durrësi apo Selaniku dhe sërish e tregtojnë më lirë se Shqipëria.

“Duke niveluar taksat me këto vende, ne i hapim rrugë një çmimi të barabartë dhe do të godasim çdo abuzim”, shtoi ai.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu