
Qeveria italiane ka miratuar një paketë masash për të përballuar rritjen e çmimeve të karburanteve, si pasojë e tensioneve në Lindjen e Mesme. Vendimi i Këshillit të Ministrave parashikon një ulje të përkohshme të akcizës, e cila do të reflektohet me një zbritje prej 20 deri në 25 cent për litër në çmimin e karburantit.
Sipas burimeve qeveritare, masa do të jetë në fuqi për 20 ditë, periudhë gjatë së cilës autoritetet do të vlerësojnë ndikimin e konfliktit në tregjet ndërkombëtare të naftës.
Ekzekutivi ka zgjedhur ndërhyrjen direkte përmes uljes së taksimit, duke hequr dorë nga ideja fillestare për shpërndarjen e bonuseve për karburant, pasi kjo mënyrë konsiderohet më efektive dhe përfituese për të gjithë konsumatorët.
Përveç uljes së çmimit në pikat e karburantit, paketa përfshin edhe mbështetje për sektorët më të prekur. Është parashikuar një kreditim tatimor prej 28% për naftën në favor të transportuesve dhe peshkatarëve.
Ndërkohë, do të forcohen kontrollet kundër spekulimeve në treg. Autoriteti i njohur si “Mister Çmimi” do të ketë kompetenca të zgjeruara për të monitoruar dhe parandaluar abuzimet, me qëllim që ulja e taksave të reflektohet realisht në çmimet për qytetarët.
Nafta në Itali në rekordin më të lartë që nga 2022, por Europa paguan edhe më shtrenjtë
Çmimet e karburanteve në Itali vijojnë rritjen, me naftën që ka arritur nivelin më të lartë që nga marsi i vitit 2022. Sipas të dhënave të publikuara më 18 mars, çmimi mesatar i naftës në pikat e furnizimit ka shkuar në 2.089 euro për litër, ndërsa benzina në vetëshërbim ka arritur në 1.855 euro për litër.
Rritja e fortë e çmimeve lidhet me përshkallëzimin e tensioneve në Lindjen e Mesme dhe sulmet ndaj Iranit, që kanë ndikuar në tregjet energjetike në të gjithë Europën. Megjithatë, edhe pse xhepat e qytetarëve italianë po ndjejnë presionin, situata në Itali paraqitet më pak e rëndë krahasuar me disa vende të tjera të Eurozonës.
Sipas një analize të bazuar në të dhënat e Komisionit Europian, Gjermania rezulton vendi me rritjen më të madhe të çmimeve të benzinës, me 13.8%, e ndjekur nga Austria me 13.2% dhe Finlanda me 12.5%. Italia renditet e 12-ta për rritjen e benzinës, me një shtesë prej 5.5%, pas Spanjës me 8.8% dhe Francës me 7.8%.
Edhe për naftën, Italia mbetet më poshtë në renditjen e rritjeve, duke u pozicionuar e 14-ta me një rritje prej 9.8%. Në të kundërt, Gjermania ka regjistruar rritjen më të fortë me 24.8%, e ndjekur nga Franca me 18.4% dhe Spanja me 15.6%.
Sa i takon çmimeve absolute, Holanda mbetet vendi më i shtrenjtë në Eurozonë për furnizimin me karburant. Atje, nafta kushton mesatarisht 2.255 euro për litër, ndërsa benzina 2.172 euro për litër. Në këtë klasifikim, Italia renditet e teta për benzinën dhe e shtata për naftën.
Në fund të listës për rritjet më të ulëta qëndrojnë Sllovenia, Irlanda dhe Sllovakia, ku shtrenjtimi i karburanteve ka qenë minimal, nga 0.2% deri në 1.1%.
Rritja e çmimeve të karburanteve po ushqen shqetësime të reja në të gjithë Europën, ndërsa qeveritë po përpiqen të frenojnë efektet e krizës energjetike të shkaktuar nga zhvillimet gjeopolitike.



