
Çmimet e karburanteve në Maqedoninë e Veriut kanë pësuar një ulje të lehtë, por paralelisht po shtohen shqetësimet për një krizë të mundshme furnizimi në rajon.
Komisioni Rregullator i Energjetikës ka vendosur uljen e çmimeve me rreth 1.5 denarë për litër. Nga mesnata, benzina 95 do të shitet me 80.5 denarë për litër, benzina 98 me 82.5 denarë, ndërsa dizeli me 94 denarë për litër.
Megjithatë, situata në tregjet ndërkombëtare mbetet e paqëndrueshme. Çmimi i naftës Brent është rritur në rreth 95 dollarë për fuçi, duke reflektuar pasiguritë globale, veçanërisht për shkak të tensioneve në Ngushticën e Hormuzit.
Alarmi vjen nga Greqia, ku burime nga sektori i rafinerive bëjnë të ditur se rezervat aktuale të naftës mjaftojnë vetëm për dy muaj. Nëse trafiku detar në Hormuz nuk normalizohet, furnizimi mund të përkeqësohet ndjeshëm.
Kjo situatë është e rëndësishme për Maqedoninë, pasi rreth 70-80% e karburanteve furnizohen nga rafineria OKTA, në pronësi të kompanisë greke Hellenic Petroleum.
Autoritetet në Shkup sigurojnë se aktualisht nuk ka mungesa, duke theksuar se rezervat shtetërore mbulojnë rreth 62 ditë, ndërsa kompanitë private kanë rezerva shtesë për disa ditë deri në javë.
Ndërkohë, në nivel europian po shtohen shqetësimet për një krizë furnizimi, sidomos për karburantin ajror. Komisioneri për energjinë paralajmëron se Europa po kalon nga kriza e çmimeve drejt një krize furnizimi.
Edhe Gjermania po ndjek nga afër zhvillimet, ndërsa kancelari ka paralajmëruar mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për të analizuar situatën energjetike.
Çdo përkeqësim i situatës në BE mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë e Maqedonisë, e cila ka lidhje të forta tregtare me tregjet europiane.






