
Një rast i sëmundjes shumë ngjitëse “Afta Epizootike” (Foot and Mouth Disease) është konfirmuar në një fermë bagëtish në ishullin Lesvos në Greqi, duke ngritur alarmin për përhapjen e saj në rajon.
Autoritetet britanike reaguan menjëherë, duke vendosur kufizime për disa importe nga Greqia, me qëllim parandalimin e përhapjes së virusit dhe mbrojtjen e blegtorisë.
Sipas njoftimit zyrtar, kjo sëmundje nuk paraqet rrezik për njerëzit apo sigurinë ushqimore, por është shumë e rrezikshme për kafshët si lopët, delet, derrat dhe specie të tjera me thundra të ndara.
Ekspertët paralajmërojnë se “Afta Epizootike” mund të shkaktojë humbje të mëdha ekonomike për shkak të rënies së prodhimit dhe bllokimit të eksporteve të mishit dhe produkteve të qumështit.
Autoritetet u bëjnë thirrje fermerëve të jenë vigjilentë ndaj shenjave klinike, si plagë dhe flluska në gojë, gjuhë dhe këmbë, temperaturë dhe vështirësi në ushqyerje apo lëvizje.
Ndërkohë, mbeten në fuqi ndalimet për importet personale të mishit dhe produkteve të bulmetit nga vendet e Bashkimit Europian drejt Britanisë, si masë parandaluese.
Autoritetet theksojnë se bio-siguria është kyçe për të parandaluar përhapjen e sëmundjes dhe kërkojnë raportim të menjëhershëm në çdo rast dyshimi.



