
Bashkimi Evropian ka hequr të gjitha masat financiare ndaj Kosovës, duke zhbllokuar fondet e asistencës që ishin pezulluar më herët.
Konfirmimi erdhi gjatë një debati në Komisionin e Politikës së Jashtme të Parlamentit Evropian për raportin mbi Kosovën, ku përfaqësuesi i Komisionit Evropian, Jiri Plecity nga Drejtoria e Zgjerimit, bëri të ditur se procesi i heqjes së masave ka përfunduar.
“Komisioni tashmë ka liruar të gjitha mjetet e asistencës financiare për Kosovën”, u shpreh ai, duke rikujtuar se heqja e masave kishte nisur gradualisht që nga maji i vitit të kaluar dhe u përshpejtua pas njoftimit të bërë në dhjetor 2025 nga Presidentja e Komisionit Evropian.
Sipas tij, tashmë të gjitha fondet e bllokuara janë vënë në dispozicion të Kosovës.
Gjatë debatit, raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, kritikoi ashpër vendosjen e këtyre masave, duke theksuar se ato kanë pasur ndikim negativ tek qytetarët, shoqëria civile dhe zhvillimi i përgjithshëm i vendit.
Heqja e masave financiare shihet si një hap i rëndësishëm në marrëdhëniet mes Bashkimit Evropian dhe Kosovës, si dhe një sinjal pozitiv për vijimin e mbështetjes ndaj proceseve integruese.



