Dr.Eni Zemani, mjeke veterinere në Klinikën 4 Zampe

Frika nga toksoplazmoza vijon të krijojë pasiguri tek shumë familje, sidomos tek gratë shtatzëna që mbajnë mace, por sipas mjekes veterinere Eni Zemani nga klinika veterinare “4 Zampe” në Tiranë, kjo frikë shpesh vjen nga keqkuptime dhe mungesë informacioni të saktë.

Ajo thekson se toksoplazmoza nuk lidhet vetëm me macet dhe nuk duhet parë si një rrezik i drejtpërdrejtë vetëm nga kafshët shtëpiake.

“Nuk merret vetëm nëpërmjet feçes së maces. Ky parazit mund të merret edhe nëpërmjet frutave dhe perimeve të palara, mishit të gjallë apo mungesës së higjienës gjatë përgatitjes së ushqimit,” shpjegon Zemani.

Sipas saj, një nga problemet kryesore është dizinformacioni, që shpesh krijon panik të panevojshëm tek pronarët e maceve.

“Mjekët tanë, fatkeqësisht, shpesh u rekomandojnë pronarëve të maceve që t’i largojnë ato, pa pasur informacion të plotë për situatën konkrete. A është kjo kafshë e rregullt në marrjen e tabletave antiparazitare? A ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me veterinerin, sidomos në rastin e grave shtatzëna? Jo detyrimisht duhet të hiqet macja. Nuk duhet në asnjë mënyrë të krijohet apo përhapet panik, por të tregohet kujdes, sidomos duke shmangur kontaktin me feçen.Në çdo rast kur ka pikëpyetje – a është kafsha me toksoplazmë apo jo – duhet të bëhen verifikimet përkatëse dhe të merret këshilla e specialistëve” thekson ajo.

Zemani nënvizon gjithashtu se toksoplazma nuk trajtohet me çdo medikament antiparazitar, por vetëm me preparate specifike që përzgjidhen nga mjeku veteriner.

“Macet që kontrollohen rregullisht dhe trajtohen me antiparazitare paraqesin shumë më pak rrezik. Toxoplazma nuk trajtohet me çdo medikament antiparazitar, por vetëm me preparate specifike të përzgjedhura nga mjeku juaj i besuar” – shton Zemani.

Në vend të panikut, ajo këshillon kujdes dhe informim të saktë, duke theksuar se rreziku shpesh vjen nga përditshmëria dhe jo vetëm nga kafshët.

“Kujdesi me higjienën është thelbësor. Frutat dhe perimet duhet të lahen mirë, ndërsa mishi duhet të konsumohet vetëm i gatuar,” shprehet ajo.

Mesazhi kryesor i veterineres është i qartë: informimi i saktë dhe bashkëpunimi mes mjekut dhe veterinerit janë çelësi për të shmangur rrezikun dhe për të ulur panikun e panevojshëm.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu