
Një shpërthim me lëndë plasëse është regjistruar në orët e para të mëngjesit në qytetin e Lezhës, ku objektiv ka qenë automjeti i një punonjësi policie.
Sipas informacionit paraprak, rreth orës 05:55, dyshohet se është vendosur lëndë plasëse në një automjet të parkuar, tip “Volkswagen Golf”, në pronësi të shtetasit G. Gj., 41 vjeç, punonjës policie në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë.
Si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar vetëm dëme materiale, ndërsa nuk raportohet për persona të lënduar.
Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, të cilat kanë nisur kontrolle në zonë për identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve të dyshuar.
Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ndodhet në vendngjarje dhe po vijon veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.




