
Qeveria e Kosovës ka pranuar të zbatojë me lehtësira ligjin për të huajt dhe atë për automjetet për serbët që jetojnë në veri të vendit, pas ndërhyrjes së Bashkimit Evropian dhe vizitës në Prishtinë të emisarit për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.
Vendimi u bë publik pas takimit të zhvilluar të shtunën mes kryeministrit Albin Kurti, përfaqësuesit të BE-së dhe shefit të zyrës së BE në Kosovë, Aivo Orav. Sipas marrëveshjes së arritur, studentët dhe punonjësit serbë që operojnë në institucione paralele do të mund të pajisen me leje të përkohshme qëndrimi deri në 12 muaj, edhe nëse nuk kanë dokumente të Kosovës.
Po ashtu, për një periudhë tre mujore do të lejohet përdorimi i dokumenteve të identifikimit të lëshuara nga strukturat paralele serbe si mjet identifikimi për procedurat administrative.
BE kërkoi zbatim gradual të ligjeve
Emisari evropian Sorensen theksoi se qëllimi i kërkesës së BE ishte të shmangte ndërprerjen e shërbimeve bazë për komunitetin serb në veri, veçanërisht në sektorët e arsimit dhe shëndetësisë.
Sipas tij, dhënia e lejeve të përkohshme të qëndrimit dhe njohja e përkohshme e dokumenteve të Serbisë janë masa të përkohshme për të siguruar stabilitet dhe vazhdimësi të shërbimeve për qytetarët.
Ligji për të huajt parashikon që personat pa dokumente të Kosovës të pajisen me leje qëndrimi, ndërsa automjetet me targa të huaja nuk mund të qarkullojnë më shumë se tre muaj pa autorizim. Megjithatë, për serbët e Kosovës zbatimi do të bëhet gradualisht.
Kurti: Nuk duam pengesa për shërbimet bazë
Kryeministri Kurti deklaroi se qëllimi i qeverisë është të mos krijohen pengesa në shërbimet për qytetarët, por njëkohësisht theksoi se strukturat paralele të Serbisë nuk mund të ekzistojnë përgjithmonë në Kosovë.
Ai shpjegoi se komunat me shumicë serbe do t’i dorëzojnë qeverisë listat e stafit shëndetësor dhe akademik që punojnë në institucione paralele. Më pas Ministria e Brendshme do t’i pajisë ata me leje të përkohshme qëndrimi.
Për studentët serbë që studiojnë në universitetin në veri do të ofrohen gjithashtu leje njëvjeçare, me mundësi rinovimi.
Opozita e akuzon për lëshime ndaj Serbisë
Vendimi ka shkaktuar reagime të forta nga opozita në Kosovë. Partia Demokratike e Kosovës e akuzoi qeverinë se po legjitimon dokumentet dhe institucionet ilegale të Serbisë në territorin e Kosovës.
Sipas PDK-së, pranimi i dokumenteve të lëshuara nga strukturat paralele cenon sovranitetin e shtetit dhe krijon precedent të rrezikshëm për funksionimin e institucioneve ilegale.
Edhe deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, kritikoi vendimin, duke thënë se qeveria po përdor retorikë patriotike, ndërsa në praktikë po pranon dokumente dhe struktura që më parë i quante të paligjshme.
Ambasadorët e mirëpresin marrëveshjen
Ndryshe nga opozita, ambasadorët e vendeve perëndimore në Prishtinë e kanë përshëndetur vendimin e qeverisë.
Ambasadori gjerman Reiner Rudolph deklaroi se marrëveshja është një hap i rëndësishëm për të siguruar vazhdimin e shërbimeve për komunitetin serb, ndërsa ambasadori francez Olivier Guerot theksoi se zgjidhja është rezultat i angazhimit të Bashkimit Evropian dhe vullnetit të palëve.
Edhe misioni i OSBE-së në Kosovë e cilësoi marrëveshjen si një zgjidhje praktike që prek jetën e përditshme të qytetarëve.
Vuçiç: Nuk ka zgjidhje të lehta
Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç e mirëpriti marrëveshjen, duke thënë se ajo është një lehtësim për serbët në Kosovë, edhe pse sipas tij “nuk ka zgjidhje të lehta”.
Ndërkohë drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviq, deklaroi se me këtë vendim është shmangur mbyllja e institucioneve serbe në Kosovë dhe është siguruar vazhdimësia e funksionimit të tyre.
Zbatimi i ligjit për të huajt dhe i atij për automjetet pritet të nisë më 16 mars, ndërsa marrëveshja për lehtësirat u arrit vetëm një ditë para hyrjes së tyre në fuqi.






