Kuvendi u përfshi në debat të fortë politik gjatë seancës ku u shqyrtua kërkesa e SPAK për autorizimin e arrestimit të deputetes socialiste Belinda Balluku. Nga foltorja e Parlamentit u lexuan raportet e shumicës dhe të opozitës, të cilat paraqesin qëndrime të kundërta mbi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme.

Deputeti socialist Ulsi Manja, në cilësinë e anëtarit të Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve, lexoi raportin e shumicës parlamentare ku propozohet rrëzimi i kërkesës së SPAK për arrestimin e Ballukut.

Sipas Manjës, një analizë kaq e detajuar e provave dhe rrethanave në raport bie ndesh me frymën e Kushtetutës dhe me parimin e prezumimit të pafajësisë. Ai theksoi se Kuvendi nuk mund të kthehet në një “gjyq publik”.

Manja argumentoi gjithashtu se situata juridike ka ndryshuar, pasi deputetja Balluku nuk ushtron më funksione ekzekutive në qeveri, çka sipas tij e bën të pavlefshëm argumentin për rrezikun e prishjes së provave apo ndikimit në hetime.

“Është e domosdoshme që Kuvendi të ndajë politikën nga drejtësia dhe zhurmën nga faktet. Kuvendi nuk është këtu për të gjykuar fajësinë, por për të marrë një vendimmarrje që prek lirinë personale të një deputeti dhe balancën ndërmjet pushteteve”, deklaroi Manja.

Në anën tjetër, deputeti i opozitës Oerd Bylykbashi lexoi raportin e pakicës parlamentare, duke kërkuar që Kuvendi të votojë pro kërkesës së SPAK dhe t’i hapë rrugë arrestimit të Ballukut.

Bylykbashi tha se sipas Prokurorisë së Posaçme, deputetja socialiste dyshohet se ka kryer në mënyrë të përsëritur veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera në bashkëpunim, duke përmendur se hetimi përfshin 11 fakte penale dhe një dosje me rreth 80 prova të ndara në disa volume.

Ai theksoi se imuniteti parlamentar nuk është një privilegj personal i deputetëve, por një mekanizëm për të mbrojtur funksionimin e Parlamentit, dhe se Kuvendi nuk duhet të përdoret si mburojë politike ndaj hetimeve.

Sipas Bylykbashit, Kuvendi ka vetëm detyrën të verifikojë nëse ekzistojnë kushtet për dhënien e autorizimit për arrestim, ndërsa vendimi për masën e sigurisë i takon ekskluzivisht pushtetit gjyqësor.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu