Çmimi i naftës ka rënë ndjeshëm pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se lufta me Iranin mund të përfundojë “shumë shpejt”.

Nafta kishte arritur pothuajse 120 dollarë për fuçi të hënën, mes frikës se konflikti mund të shkaktonte ndërprerje të gjata në furnizimet me energji nga Lindja e Mesme. Pas deklaratave të Trump, çmimi ra në rreth 93 dollarë për fuçi, duke qetësuar përkohësisht tregjet.

Megjithatë, edhe pse çmimet kanë rënë nga kulmi i tyre, nafta mbetet dukshëm më e shtrenjtë se para fillimit të luftës, ndërsa bursat në Wall Street dhe në tregjet aziatike shënuan rritje.

Trump deklaroi se mendon se “lufta është pothuajse e përfunduar”, por paralajmëroi Iranin të mos bllokojë Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të naftës dhe gazit në botë.

Në një mesazh në rrjetet sociale, presidenti amerikan theksoi se nëse Irani pengon qarkullimin e naftës në këtë ngushticë, Shtetet e Bashkuara do të godasin “njëzet herë më fort” se deri tani.

Nga ana tjetër, Garda Revolucionare iraniane reagoi duke deklaruar se, në përgjigje të kërcënimeve të Trump, forcat e armatosura iraniane nuk do të lejojnë “eksportin e asnjë litri nafte nga rajoni”.

Gjatë tregtimit në Azi, Brent zbriti përkohësisht nën 84 dollarë për fuçi, përpara se të rikuperohej në rreth 93.76 dollarë, ndërsa nafta amerikane WTI ra me rreth 4%, në 90.96 dollarë për fuçi.

Ekspertët e tregut theksojnë se rënia e çmimit i dha tregjeve një moment “frymëmarrjeje”, por situata mbetet shumë e paqëndrueshme. Sipas analistit të energjisë Alberto Bellorin, tregu i naftës është në një “tërheqje litarësh”, ku çmimet mund të rriten shpejt nëse konflikti përshkallëzohet dhe të bien nëse tensionet ulen.

Ndërkohë, bursat në Azi reaguan pozitivisht ndaj rënies së çmimit të naftës. Indeksi Nikkei në Japoni u rrit me 2.9%, ndërsa Kospi në Korenë e Jugut me 5.4%, duke rikuperuar një pjesë të humbjeve të ditës së mëparshme.

Ngushtica e Hormuzit mbetet një pikë kritike për tregjet energjetike globale, pasi rreth një e pesta e naftës që tregtohet në botë kalon përmes kësaj rruge detare.

Megjithëse çmimet janë ulur nga kulmi i ditës së hënë, ato mbeten rreth 20% më të larta se para fillimit të sulmeve ajrore të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit, sipas analistëve të tregut.

Ndërkohë, vendet e G7 deklaruan se janë të gatshme të marrin masa për të stabilizuar furnizimin global me energji. Në një takim me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA) u diskutua edhe mundësia e përdorimit të rezervave strategjike të naftës, megjithëse ende nuk është marrë një vendim përfundimtar.

Ministrja britanike e Financave, Rachel Reeves, tha se Londra mbështet një ulje të menjëhershme të tensioneve në Lindjen e Mesme dhe garantimin e sigurisë për anijet që kalojnë në rajon, duke shtuar se Britania është e gatshme të mbështesë një lirimin e koordinuar të rezervave të naftës nëse do të jetë e nevojshme.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu