
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur një masë të përkohshme deri më 31 mars ndaj dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.
Sipas vendimit, presidentes i ndalohet çdo veprim në lidhje me dekretin e 6 marsit, ndërsa edhe Kuvendi i Kosovës nuk mund të ndërmarrë veprime derisa masa e përkohshme të jetë në fuqi.
Gjykata theksoi se masa është marrë për të parandaluar shkaktimin e dëmit të pariparueshëm për rendin kushtetues dhe funksionimin demokratik të institucioneve në Kosovë.
Kjo nënkupton se presidentja Osmani nuk mund të shpallë datën e zgjedhjeve të parakohshme derisa Gjykata Kushtetuese të marrë një vendim përfundimtar për këtë çështje.
Dekreti për shpërndarjen e Kuvendit u kundërshtua nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti, e cila e dërgoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese.
Kriza politike u thellua pas seancës së 5 marsit për zgjedhjen e presidentit të ri, ku Lëvizja Vetëvendosje paraqiti si kandidatë Glauk Konjufcën dhe Fatmire Kollçaku-Mullhaxhën. Seanca u ndërpre për mungesë kuorumi pasi partitë opozitare e braktisën atë.
Një ditë më pas, presidentja Osmani shpalli dekretin për shpërndarjen e Kuvendit dhe zhvilloi takime me partitë opozitare për datën e zgjedhjeve të parakohshme, ndërsa Vetëvendosje nuk mori pjesë në këtë takim.
Osmani argumentoi se 5 marsi ishte afati i fundit për zgjedhjen e presidentit të ri, duke qenë se mandati i saj përfundon më 4 prill. Ndërsa Vetëvendosje pretendon se procedurat për zgjedhjen e presidentit sapo kishin nisur dhe se procesi mund të zgjasë deri në 60 ditë.



