
Zëvendësministri i Jashtëm i Iranit, Majid Takht-Ravanchi, ka paralajmëruar vendet evropiane që të mos përfshihen në konfliktin kundër Iranit, duke theksuar se çdo shtet që merr pjesë në sulme do të konsiderohet objektiv legjitim për hakmarrje.
Në një intervistë për France 24, ai tha se Teherani i ka informuar tashmë vendet evropiane dhe aktorët e tjerë ndërkombëtarë që të tregojnë kujdes dhe të mos përfshihen në atë që e cilësoi si një luftë agresioni kundër Iranit.
“Ne i kemi informuar evropianët dhe të gjithë të tjerët se duhet të jenë të kujdesshëm dhe të mos përfshihen në këtë luftë agresioni kundër Iranit”, deklaroi Takht-Ravanchi.
Sipas tij, çdo vend që merr pjesë në operacione ushtarake kundër Iranit do të konsiderohet objektiv i mundshëm i kundërpërgjigjes së Teheranit.
Deklarata vjen në një moment kur tensionet në Lindjen e Mesme janë përshkallëzuar ndjeshëm pas sulmeve dhe operacioneve ushtarake të ditëve të fundit, ndërsa vendet perëndimore po ndjekin nga afër zhvillimet në rajon.



