Seanca plenare në Kuvend është shoqëruar me tone të forta nga opozita. Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka ironizuar deputetët socialistë gjatë fjalës së tij, duke përdorur akuza dhe krahasime të ashpra për mënyrën se si, sipas tij, po drejtohet Parlamenti.

Noka deklaroi se seanca është drejtuar “në mënyrën më të turpshme të mundshme” dhe se Kuvendi është kthyer në një institucion që, sipas tij, u shkakton turp qytetarëve.

Ai përdori edhe termin “zegjinizim” për të përshkruar situatën në Parlament, duke thënë se shpesh deputetët ndihen të turpëruar kur dëgjojnë fjalimet e njëri-tjetrit. Në fjalën e tij, Noka ironizoi edhe disa deputetë socialistë, duke përmendur me ironi emra si Zegjine Çaushi dhe Ardit Bido.

Deputeti demokrat akuzoi gjithashtu mazhorancën se nuk ka mbajtur premtimet për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë, duke kujtuar deklaratat e bëra vite më parë nga kryeministri Edi Rama.

Në fund të fjalës së tij, Noka iu drejtua deputetëve të mazhorancës me një tjetër krahasim ironik, duke thënë se ata qëndrojnë “të gjunjëzuar dhe të poshtëruar”, ndërsa përmendi edhe ministren Belinda Balluku në kritikat ndaj qeverisë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu