
Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar masa të reja ndaj personave që ushtrojnë, nxisin apo propagandojnë dhunën gjatë protestave, duke bërë të ditur se pasojat nuk do të jenë vetëm penale, por edhe financiare. Në një dalje publike së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, Ervin Demo, kreu i qeverisë deklaroi se shteti do të vijojë me vendosmëri identifikimin dhe ndëshkimin e përgjegjësve, ndërsa paralelisht do të prezantohen masa për të përballuar shtrenjtimin e jetesës.
“Kush mendon se gjunjëzon shtetin, bën kalkulimin më të gabuar”, deklaroi Rama, duke theksuar se përgjigjja e institucioneve ndaj dhunës do të jetë e vazhdueshme.
Kryeministri paralajmëroi veçanërisht ata që, sipas tij, nxisin dhe propagandojnë aktet e dhunshme.
“Do të paguajë, do të paguajë në një sërë formash, që nga ajo penalja për ushtruesit e drejtpërdrejtë të dhunës, tek ajo financiarja për himnizuesit dhe për propaganduesit e saj”, u shpreh Rama.
Ai nuk dha detaje mbi instrumentet ligjore apo mënyrën se si do të zbatoheshin masat financiare të paralajmëruara.
Në fjalën e tij, Rama përsëriti akuzat për përfshirjen e personave me precedentë penalë dhe elementëve të radikalizuar në protestat e fundit, duke pretenduar se një pjesë e tyre janë paraqitur si studentë për të ushtruar dhunë.
Kreu i qeverisë pretendoi gjithashtu se pas një pjese të organizimit të dhunshëm qëndrojnë krimi i organizuar dhe ndikime të huaja, për të cilat tha se hetimet po vazhdojnë.
Rama përmendi lëvizjen ANTIFA, duke e lidhur me aktet e dhunshme në Shqipëri dhe me zhvillime të ngjashme në Itali e Francë. Sipas tij, institucionet shqiptare janë në komunikim të vazhdueshëm me homologët e këtyre dy vendeve për koordinimin e masave të sigurisë.
Megjithatë, kryeministri bëri një ndarje mes qytetarëve që protestojnë paqësisht për shqetësime legjitime dhe atyre që, sipas tij, përdorin dhunën.
“Protesta është një e drejtë që askush nuk mund ta mohojë. Liria për të protestuar është një e drejtë që askush nuk mund ta diskutojë dhe që çdo shtet demokratik duhet ta garantojë”, deklaroi ai.
Rama tha se qeveria po punon për një paketë masash që synojnë t’u përgjigjen shqetësimeve ekonomike dhe sociale të qytetarëve, përfshirë koston e lartë të jetesës, strehimin në Tiranë, meritokracinë dhe mbështetjen për shtresat në nevojë.
Sipas tij, masat konkrete do të bëhen publike brenda orëve ose ditëve në vijim.
Kryeministri u ndal edhe te mungesa e dialogut me përfaqësues të protestuesve, duke deklaruar se gjatë katër muajve të fundit ka pasur përpjekje për komunikim, por ftesat për bisedime nuk janë pranuar.
Ai tregoi se kishte zhvilluar një bisedë telefonike me një pedagog të Universitetit të Mjekësisë, i cili i kishte paraqitur shqetësime konkrete për spitalin universitar. Rama tha se kishte shprehur gatishmërinë për t’i diskutuar dhe adresuar këto probleme.
Ndërkohë, ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, dha detaje për procesin e identifikimit të personave që dyshohet se kanë kryer akte dhune gjatë protestave.
Sipas tij, Policia e Shtetit po përdor teknologjinë për të analizuar qindra orë filmime të siguruara nga kamerat e institucioneve publike, bizneset private, televizionet dhe rrjetet sociale.
“Edhe kur protestuesit kanë fshehur pamjen e tyre nëpërmjet maskave, ne përsëri kemi arritur që të identifikojmë të gjithë protestuesit të cilët kanë kryer akte dhune”, deklaroi Demo.
Ministri theksoi se procesi do të vijojë dhe se materialet e administruara do t’i kalojnë prokurorisë për personat që dyshohet se kanë dëmtuar institucionet dhe pronën private.
Ai garantoi se policia do të punojë për aq kohë sa të jetë e nevojshme për të identifikuar dhe për të çuar përpara drejtësisë autorët e akteve të dhunshme.
Në përfundim, Rama paralajmëroi se intensiteti i reagimit shtetëror do të jetë në përpjesëtim me atë që ai e cilësoi si “terror urban” të ushtruar gjatë protestave.
Deklaratat e kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm vijnë në një moment kur Shqipëria po përballet me protesta të vazhdueshme, ndërsa debati publik është përqendruar te kërkesat ekonomike e sociale të qytetarëve, përdorimi i forcës dhe kufijtë mes së drejtës për tubim dhe përgjegjësisë për aktet e dhunshme.






