
Universi i serialit shumë të famshëm “Game of Thrones” mund të rikthehet në ekran, këtë herë me një film të ri kinematografik.
Sipas mediave ndërkombëtare, studio Warner Bros ka nisur zhvillimin e një projekti filmik të bazuar në sagën e krijuar nga shkrimtari George R. R. Martin. Skenari i filmit është duke u shkruar nga Beau Willimon, i njohur si krijues i serialit “House of Cards” dhe si skenarist i serialit “Andor”.
Në këtë fazë të hershme nuk janë bërë ende publike detaje për regjisorin apo aktorët që mund të përfshihen në projekt.
Sipas raportimeve, historia e filmit pritet të përqendrohet te Aegon I Targaryen, themeluesi i dinastisë Targaryen dhe pushtimi i kontinentit Westeros, ngjarje që zhvillohen shumë vite përpara historisë së serialit origjinal.
Ky personazh nuk është shfaqur më parë në ekran, megjithëse familja Targaryen është në qendër të spin-off-it “House of the Dragon” dhe projektit tjetër “A Knight of the Seven Kingdoms”.
Megjithatë, e ardhmja e filmit mbetet e pasigurt, pasi kompania Warner Bros Discovery mund të blihet nga Paramount Skydance, dhe një ndryshim i pronësisë mund të ndikojë në projektet që janë aktualisht në zhvillim.
Saga “Game of Thrones”, e bazuar në romanet bestseller “A Song of Ice and Fire”, mbetet një nga markat më të suksesshme dhe më fitimprurëse të industrisë televizive dhe kinematografike.






