Një gjykatë në SHBA ka shpallur fajtor Colin Gray, babain e një adoleshenti që akuzohet për sulmin me armë në një shkollë të mesme në shtetin e Georgia, ku mbetën të vrarë katër persona.
55-vjeçari u dënua për vrasje, keqtrajtim të fëmijës dhe akuza të tjera, që lidhen me sulmin e vitit 2024 në shkollën Apalachee High School në qytetin Winder, pranë Atlantës. Ai kishte deklaruar më herët se ishte i pafajshëm për të gjitha 29 akuzat që rëndonin ndaj tij.
Sipas prokurorisë, Gray ishte “i vetmi person që mund ta kishte parandaluar” sulmin e kryer nga djali i tij 14-vjeçar, pasi kishte dijeni për sjelljen e dhunshme dhe paralajmërimet e shumta për një sulm në shkollë.
Nga të shtënat humbën jetën dy nxënës, Christian Angulo dhe Mason Schermerhorn, si dhe dy mësues, Richard Aspinwall dhe Cristina Irimie.
Gjatë procesit gjyqësor u bë e ditur se Colin Gray i kishte blerë djalit një pushkë të tipit AR si dhuratë për Krishtlindje një vit para sulmit, pavarësisht se djali ishte marrë në pyetje nga policia disa muaj më herët për kërcënime në internet për një sulm në shkollë.
Prokurorët argumentuan se ai kishte injoruar disa shenja paralajmëruese, përfshirë edhe një fletore ku djali përshkruante planin për të vrarë nxënës dhe mësues.
Juria mori vendimin pas rreth dy orësh diskutimesh, pas një procesi gjyqësor që zgjati dy javë. Colin Gray rrezikon të paktën 30 vite burg, ndërsa data e dhënies së dënimit ende nuk është caktuar.
Ndërkohë, djali i tij Colt Gray pritet të përballet me gjyq të veçantë për sulmin.
Ky është një nga rastet e rralla në SHBA kur një prind mbahet penalisht përgjegjës për një sulm me armë të kryer nga fëmija i tij, një praktikë që ka nisur të përdoret më shpesh pas disa rasteve të fundit të dhunës në shkolla.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu