Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në shtetin lindor indian të Jharkhand, ku një grua dhe djali i saj 10 muajsh u dogjën të gjallë nga një turmë, pasi u akuzuan për praktikim të magjisë së zezë.

Sipas autoriteteve, katër persona janë arrestuar, ndërsa policia është në kërkim të personave të tjerë të dyshuar si të përfshirë në krim. Bashkëshorti i viktimës, i cili u sulmua gjithashtu, ndodhet në spital me djegie të rënda.

Vrasja e Jyoti Sinku dhe foshnjës së saj ndodhi në fshatin e largët Kudsai, rreth 250 kilometra nga kryeqyteti shtetëror Ranchi. Sipas dëshmive, dhuna u nxit nga thashetheme në fshat për ngrodhjen e bagëtive dhe për sëmundjen e një banori lokal, për të cilin u përhapën akuza se ishte prekur nga “magjia”.

Bashkëshorti i viktimës deklaroi nga shtrati i spitalit se një turmë prej rreth 12 personash sulmoi banesën e tyre dhe i vuri flakën gruas dhe foshnjës, pavarësisht lutjeve të tij për ta zgjidhur çështjen në këshillin e fshatit.

Sipas të dhënave të Byrosë Kombëtare të Regjistrimit të Krimeve në Indi, mbi 2 500 persona, kryesisht gra, janë vrarë në vend midis viteve 2000 dhe 2016, pas akuzave për magji. Raste të tilla raportohen shpesh në zona të varfra dhe me komunitete fisnore, ku mungesa e shërbimeve shëndetësore nxit përhapjen e supersticioneve.

Autoritetet kanë regjistruar çështjen për vrasje dhe komplot kriminal, ndërsa paralajmërojnë nisjen e fushatave ndërgjegjësuese në zonat rurale për të luftuar besimet e rrezikshme supersticioze.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu