Seanca plenare është përfshirë nga tensione të forta pas deklaratës së kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i cili u shpreh se ministrja Belinda Balluku “do të shkojë në burg”.

Bardhi deklaroi se këtë premtim ua ka bërë qytetarëve të Fierit gjatë fushatës dhe se do ta mbajë. Ai akuzoi deputetët socialistë të qarkut Fier si “zare të Belindës”, duke shtuar se, sipas tij, Balluku do të përballet me drejtësinë “me apo pa zagarët që ka sjellë në Kuvend”.

“Qytetarëve të Fierit u kam bërë premtim që kjo zonjë do të shkojë në burg dhe e kam mbajtur premtimin. Ajo do të shkojë në burg”, tha Bardhi nga foltorja.

Reagimi i Ballës

Pas deklaratës së Bardhit, reagoi Kryetari i Grupit Parlamentar të PS dhe Drejtues Politik i PS për Diasporën, Taulant Balla, i cili e akuzoi homologun e tij për shpifje dhe standard të dyfishtë.

Balla u shpreh se Bardhi është “i vetmi kryetar grupi në histori që ka kallëzuar penalisht nënkryetarin e vet të grupit”, duke iu referuar përplasjeve të brendshme në Partinë Demokratike.

Ai gjithashtu përmendi akuza të mëparshme të Bardhit ndaj figurave të tjera të PD-së, duke theksuar se ka deklarata dhe qëndrime kontradiktore brenda opozitës.

“Je i vetmi kryetar grupi në histori që ka kallëzuar penalisht nënkryetarin e vet. Vetëm ti do mbahesh mend për këtë”, deklaroi Balla.

Debati mes dy krerëve të grupeve parlamentare pasoi një seancë të tensionuar, ku mazhoranca dhe opozita shkëmbyen akuza të forta për korrupsion dhe përgjegjësi politike.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu