
Mijëra qytetarë kanë mbushur sheshet e Prishtinës për të marshuar në mbrojtje të ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.
Protestuesit u shprehën optimistë për lirimin e Hashim Thaçit dhe të tjerëve, ndërsa disa prej tyre e cilësuan Gjykatën Speciale si të padrejtë dhe me prapavijë politike.
Muhamet Elshani, i ardhur nga Prizreni, deklaroi se ish-krerët e UÇK-së nuk kanë kryer krime dhe i bëri thirrje qeverisë së Kosovës që, pas protestës, të marrë vendim për shpërbërjen e kësaj gjykate. “Presim që populli të dëgjohet dhe ata të kthehen në vend,” tha ai.
Pjesë e marshit ishte edhe Mefail Elshani, ish-zëvendëskomandant i Brigadës 60 të UÇK-së, i cili u shpreh se pret lirimin e bashkëluftëtarëve dhe e konsideroi procesin gjyqësor si të montuar nga Serbia dhe Rusia.
Ndërsa qytetari Ibrahim Hasani nga Podujeva theksoi se vetëm një gjykim i drejtë mund ta bashkojë popullin, duke e cilësuar gjykatën si “puro politike”. Nga Rahoveci, Mehmet Hoti kërkoi shkurt “drejtësi” për ish-krerët e UÇK-së.
Marshi i organizuar nga platforma “Liria ka Emër” ka mbledhur qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare, ndërsa në tubim është e pranishme edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.



