
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka uruar Kosovën për 18-vjetorin e Pavarësisë, duke e cilësuar këtë datë si një nga momentet më të mëdha të lirisë për shqiptarët, pas pavarësisë së Shqipërisë.
Në mesazhin e tij, Berisha theksoi se shqiptarët kudo në botë krenohen me rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë, duke nënvizuar se “liria kombëtare është një dhe e pandarë”.
Sipas tij, shteti i Kosovës është ndërtuar mbi qëndresën e qytetarëve ndaj dhunës dhe sakrificën e mijëra martirëve që luftuan për dinjitet kombëtar. Ai vlerësoi luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si një nga faqet më të ndritura të historisë së kombit shqiptar.

Berisha i kushtoi një vëmendje të veçantë ish-presidentit Ibrahim Rugova, të cilin e cilësoi si arkitekt të pavarësisë dhe një lider me vizion që e ndërkombëtarizoi çështjen e Kosovës. Po ashtu, ai nderoi komandantin legjendar Adem Jashari dhe luftëtarët e lirisë për rolin e tyre në çlirimin e vendit.
Në mesazh theksohet edhe mbështetja vendimtare e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, NATO-s dhe vendeve perëndimore për arritjen e pavarësisë.
Berisha u shpreh se sot Kosova është një realitet i pakthyeshëm, një shtet sovran që po ecën përpara, ndërsa u bëri thirrje shqiptarëve të përulen me nderim para sakrificës së martirëve.
“Gëzuar! Zoti e bekoftë Kosovën! Zoti i bekoftë shqiptarët dhe miqtë e tyre! Rroftë Kosova!” përfundon mesazhi i tij.



