
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, deklaroi se ata që dikur udhëhoqën popullin e Kosovës drejt lirisë, sot po përballen padrejtësisht me akuza të montuara në gjykatën ndërkombëtare.
Gjatë fjalës së tij në seancën solemne për 18-vjetorin e pavarësisë, Begaj u shpreh se kjo situatë i bën qytetarët të ndihen të fyer dhe të paragjykuar. Ai theksoi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) dhe luftëtarët e saj janë simbol i lirisë dhe pjesë e memories shtetërore e kombëtare.
“Historia e Republikës së Kosovës nuk mund të kuptohet as të shkruhet pa emrat e Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, si dhe bashkëluftëtarëve të tyre,” tha presidenti.
Begaj e cilësoi përvjetorin si dëshmi se Kosova është një realitet i pakthyeshëm dhe një shtet sovran, duke shtuar se vendi po ecën me hapa të sigurt drejt së ardhmes pa harruar sakrificat mbi të cilat u ndërtua.
Ai kujtoi gjithashtu figurat kyçe të historisë moderne të Kosovës, si ish-presidentin Ibrahim Rugova, veprimtarin Adem Demaçi dhe komandantin legjendar Adem Jashari, duke theksuar se populli i Kosovës ka treguar qëndresë dhe pathyeshmëri në rrugën drejt lirisë.



