Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, i ka cilësuar si “të pavërteta dhe të papërgjegjshme” deklaratat e kreut të ushtrisë serbe, gjeneralit Millan Mojsilloviq, i cili tha se shndërrimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri mund të përbëjë kërcënim për komunitetin serb dhe nuk i shërben paqes.

Në një reagim publik, Maqedonci theksoi se FSK është një forcë profesionale, e ndërtuar mbi standardet më të larta demokratike dhe në funksion të sigurisë së të gjithë qytetarëve pa dallim.

“Fuqizimi dhe modernizimi i Ushtrisë së Kosovës nuk ka karakter kërcënues ndaj askujt. Ai përbën një të drejtë legjitime të çdo shteti sovran dhe një domosdoshmëri për garantimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë afatgjatë në vend dhe në rajon”, u shpreh ministri.

Sipas tij, mandati i FSK-së mbetet mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, ndërsa deklaratat që synojnë frikësimin e komuniteteve apo justifikimin e politikave destabilizuese nuk kontribuojnë në stabilitet.

Vitet e fundit, Kosova ka investuar në rritjen e kapaciteteve ushtarake, duke siguruar pajisje kryesisht nga Shtetet e Bashkuara, përfshirë dronë RQ-20 Puma, raketa Javelin dhe automjete Humvee. Transformimi i plotë i FSK-së në ushtri pritet të përfundojë deri në vitin 2028.

Aktualisht, FSK-ja duhet të marrë miratim nga misioni i NATO-s, KFOR, për të operuar në veri të vendit, zonë e banuar me shumicë serbe. Ky kufizim mbetet në fuqi që prej vitit 2013.

Autoritetet në Prishtinë kanë bërë të ditur se po zhvillohen kapacitetet ajrore, po forcohen regjimentet luftarake dhe po plotësohet komponenti rezervë me rreth 3 mijë pjesëtarë, ndërsa objektivi për 5 mijë trupa aktive është arritur.

Ndërkohë, FSK-ja po përgatitet edhe për angazhime ndërkombëtare, përfshirë pjesëmarrjen në një forcë stabilizuese për Gazën, pjesë e një plani më të gjerë për paqe të propozuar nga Shtetet e Bashkuara.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu