Armand Duka është rizgjedhur për herë të shtatë president i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), në një proces të zhvilluar në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”.

Vendimi u mor me votë unanime nga të gjithë anëtarët me të drejtë vote, ndërsa Duka ishte kandidati i vetëm në këtë garë.

Në fjalën e tij gjatë Asamblesë së Përgjithshme Zgjedhore, Duka paraqiti një panoramë të arritjeve dhe sfidave të institucionit, duke theksuar se FSHF hyn në një fazë të re konsolidimi dhe rritjeje të qëndrueshme.

Ai vuri theksin te rëndësia e miratimit të ligjit të sponsorizimit, rritja e pranisë së tifozëve në stadiume dhe nevoja për më shumë mbështetje institucionale për infrastrukturën sportive, duke e cilësuar sportin një prioritet publik.

Presidenti i FSHF-së nënvizoi gjithashtu progresin e ekipeve kombëtare, zgjerimin e përfaqësimit ndërkombëtar në strukturat e UEFA dhe FIFA, si dhe organizimin e eventeve madhore europiane që, sipas tij, kanë rritur imazhin e Shqipërisë në arenën sportive.

“Arritja në play-off për Kupën e Botës 2026 është rezultat i një procesi të ndërtuar me stabilitet, durim dhe besim te filozofia jonë e punës. Sot kemi shansin më të madh në historinë tonë për të shkuar në finalet e një Botërori si një ekip që di të përballet me presionin dhe të përfaqësojë Shqipërinë me dinjitet”, u shpreh Duka.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu