
Kryeministri Edi Rama ka reaguar nga Kosova lidhur me procesin gjyqësor ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, duke e cilësuar situatën si një “pengmarrje për arsye politike”.
Sipas tij, nëse Perëndimi nuk e kalon këtë “test” duke mos lejuar “varrosjen për së gjalli të katër njerëzve të pafajshëm”, atëherë kjo do të dëmtonte jo vetëm Kosovën, por edhe besueshmërinë e vendeve perëndimore.
Rama deklaroi se, nëse ish-udhëheqësit e UÇK-së dënohen sipas kërkesave të Prokurorisë, atëherë e njëjta logjikë duhet të zbatohet edhe për figurat perëndimore që mbështetën ndërhyrjen e NATO-s gjatë luftës në Kosovë.
“Nëse Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi duhet të varrosen për së gjalli për luftën dhe për çfarë ka ndodhur përgjatë saj, atëherë duhet të vazhdojnë arrestimet. Duhet të arrestohet Bill Clinton, Javier Solana, Tony Blair dhe kryeministrat e tjerë që i dhanë dritën jeshile bombardimeve,” u shpreh Rama.
Ai theksoi se nuk bëhet fjalë për të gjithë Perëndimin, por për forca që, sipas tij, kanë tentuar të barazojnë “dhunën etnike të një makinerie lufte fashiste me luftën çlirimtare”.
Deklaratat e kryeministrit vijnë në një moment kur procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së vijon në Hagë dhe mbetet një nga çështjet më të ndjeshme politike në rajon.



