
Elefantja aziatike Trompita ka festuar 65-vjetorin e lindjes në kopshtin zoologjik “La Aurora” në Guatemala City, ku stafi i organizoi një festë të veçantë me një tortë të përgatitur nga fruta dhe perime.
Punonjësit e kopshtit zoologjik e cilësuan Trompitën si një nga kafshët më të dashura për publikun. “Ajo është tashmë një kafshë në moshë të thyer, një nga ‘gjyshet’ e kopshtit zoologjik dhe një ndër më të dashurat për të gjithë guatemalasit,” tha menaxherja e marketingut, Gabriela Galindo.
Edhe nutricionisti i kafshëve, Andres Tello, theksoi rëndësinë e saj për institucionin. “Sot festojmë 65-vjetorin e elefantes sonë aziatike Trompita, një kafshë shumë e dashur dhe emblematike për kopshtin zoologjik,” u shpreh ai, duke shtuar se elefantja është barngrënëse.
Gjatë festës, vizitorë të shumtë ndoqën momentet kur Trompita shijonte tortën dhe dhuratat, ndërsa kujdestarët organizuan aktivitete informuese për publikun.



